
Çfarë kemi arritur së bashku – Tetor 2026
Në mbështetje të nënave dhe bebeve në të gjithë Shqipërinë
Çdo nënë dhe çdo i porsalindur meriton mundësinë për një fillim të mbarë. Por në të gjithë Shqipërinë, ne vazhdojmë të konstatojmë boshllëqe në zinxhirin e kujdesit: nevoja që shfaqen gjatë shtatzënisë, në sallën e lindjes, në repartet e terapisë intensive neonatale (NICU), në maternitet dhe madje edhe pasi nëna dhe bebja kthehen në shtëpi.
Pikërisht këtu mbështetja juaj bën ndryshimin.
Falë donatorëve tanë, FSNF mund të dëgjojë, të identifikojë se ku nevojitet më shumë ndihmë dhe të ndërhyjë me zgjidhje konkrete — jo vetëm përmes pajisjeve, por edhe përmes edukimit, ndihmës praktike dhe kujdesit të dhembshur. Bujaria juaj na mundëson të bashkëpunojmë me spitalet, profesionistët shëndetësorë, nënat dhe familjet për të forcuar të gjithë rrugëtimin, nga shtatzënia deri në ditët dhe javët e para, kaq të çmuara, të jetës së bebes.
Ja disa nga mënyrat se si mbështetja juaj po e bën këtë të mundur gjatë tre muajtë të fundit.
Mbështetje për bebet e lindura para kohe në repartet neonatale të Shqipërisë
Për një bebe të lindur para kohe, diçka aq e thjeshtë sa pajisjet e duhura mbrojtëse ose mundësia për të përfituar nga fototerapia efektive mund të bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm.
Këtë tremujor, FSNF iu përgjigj nevojave urgjente në repartet e terapisë intensive neonatale, duke ndihmuar në sigurimin e maskave mbrojtëse dhe pajisjeve për fototerapi, si dhe duke mbështetur nënat dhe personelin shëndetësor që kujdesen për këta të porsalindur kaq të brishtë.

T’i ndihmojmë nënat ta nisin gjidhënien mbarë
Orët dhe ditët e para pas lindjes mund të ndikojnë shumë në rrugëtimin e gjidhënies së një nëne. Megjithatë, shumë nëna largohen nga materniteti ende të pasigurta se si ta pozicionojnë beben, si ta ndihmojnë të kapë gjirin siç duhet, si të ruajnë prodhimin e qumështit apo çfarë të bëjnë kur shfaqen vështirësi.
Përmes bashkëpunimit tonë me maternitetin, nënat marrin udhëzime praktike dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për gjidhënien. Ato mund të vazhdojnë të përfitojnë nga mbështetja e MamiCare edhe pasi kthehen në shtëpi.

Mbështetje në shtëpi për nënat dhe bebet e porsalindura
Zinxhiri i kujdesit nuk duhet të përfundojë kur nëna largohet nga materniteti.
FSNF dhe MamiCare po ndihmojnë të mbushin këtë boshllëk duke sjellë shërbimet e mamive, mbështetjen për gjidhënien, udhëzimet për kujdesin ndaj të porsalindurit dhe ndihmën pas lindjes drejtpërdrejt në shtëpitë e familjeve — aty ku pyetjet dhe vështirësitë e ditëve të para bëhen shpesh më konkrete.

Një maratonë. Qindra bebe.
Ndonjëherë, dikush nga komuniteti sheh një nevojë dhe vendos të bëjë diçka për ta përmbushur atë.
Këtë vit, Lorenc Hoxha e shndërroi maratonën e tij në një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mbështetur bebet e lindura para kohe në Shqipëri. Historia e tij na kujton se secili prej nesh mund të japë kontributin e vet për shëndetin e nënave dhe të të porsalindurve.

Mbështetja juaj na ndihmon t’u përgjigjemi nevojave të nënave dhe bebeve
Nuk mund ta parashikojmë gjithmonë se ku do të shfaqet nevoja e radhës. Mund të jetë një pajisje që i duhet urgjentisht një spitali, një nënë që ka nevojë për ndihmë që bebja të kapë gjirin siç duhet, sytë e brishtë të një bebeje të lindur para kohe që duhen mbrojtur, ose një familje që ka nevojë për dikë pranë gjatë ditëve të para të vështira në shtëpi.
Mbështetja juaj i jep FSNF-së mundësinë për të vepruar aty ku nevoja është më e madhe.
Së bashku, po forcojmë zinxhirin e kujdesit për nënat dhe të porsalindurit në të gjithë Shqipërinë — një spital, një profesionist shëndetësor, një nënë dhe një bebe në çdo hap.
Faleminderit që e bëni të mundur këtë punë!