FSNF: Të rejat e muajit

FSNF: Të rejat e muajit

Bashkohuni me ne këtë Tetor Rozë dhe bëhuni pjesë e ndryshimit!

Këtë Tetor Rozë, po mbledhim fonde për të blerë një eko portative për Qendrën e Gruas në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë.” Kjo pajisje është thelbësore për zbulimin e hershëm të sëmundjeve, përfshirë depistimin e kancerit të gjirit dhe kujdesin para lindjes. Falë portabilitetit të saj, pajisja mund të përdoret në të gjithë spitalin, duke diagnostikuar mijëra gra që të marrin kujdesin e duhur në kohë.

ME MBËSHTETJEN TUAJ, SYNOJMË TË MBLEDHIM 10,000€. ÇDO DONACION, PAVARËSISHT SHUMËS, KONTRIBUON DREJTPËRDREJT NË ARRITJEN E KËTIJ QËLLIMI.

Pasi të sigurohen fondet, ekoja portative do t’u shërbejë mbi 10,000 pacienteve çdo vit, duke mbrojtur shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre përmes zbulimit të hershëm dhe trajtimit të suksesshëm.

Bëhuni pjesë e këtij misioni që ndryshon jetë. Së bashku, mund të ofrojmë shpresë dhe një të ardhme më të ndritur për shumë gra në komunitetin tonë.

Dhuroni në linkun këtu.

Aktivitet Ndërgjegjësimi

Në ditën e parë të tetorit, realizuam një aktivitet ndërgjegjësimi ku u bashkuam me stafin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” për të ftuar çdo grua të kujdeset për shëndetin e gjirit! Kryeni kontrollin, sepse parandalimi është çelësi!

Dr. Aurel Kopeci sqaroi se çdo grua nën moshën 40 vjeç duhet të bëjë kontrollin e gjirit çdo vit, edhe kur nuk ka prani të shenjave shqetësuese. Ndërsa për ato mbi 40 vjeç, një mammogram vjetor është vendimtar për ta zbuluar në kohë çdo problem.

TRAJNIMI I STAFIT NË BASHKËPUNIM ME SHTEGUN E SHPRESËS

Trajnim i stafit për shëndetin mendor

Gjatë këtij muaji, përfunduam me sukses trajnimin për stafin tonë mbi shëndetin mendor, në bashkëpunim me Shtegun e Shpresës!

Ky është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar aftësitë tona në mbështetjen emocionale të nënave të reja, të cilat përballen me sfida të përditshme. Ne besojmë se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik, dhe ky trajnim na përgatiti më mirë për të ofruar kujdes cilësor për nënat dhe fëmijët.

PROJEKTI 'BOXES OF JOY'

Projekti ‘Boxes of Joy’

Vijon projekti ‘Boxes of Joy’ ku prej 9 vitesh, kemi shpërndarë afërsisht 100 kuti çdo vit, duke ndihmuar stafin mjekësor dhe duke ofruar mbështetje për rastet më të vështira. Kutitë tona shkojnë për nënat që përballen me sfida të mëdha, veçanërisht ato me shumë fëmijë dhe mundësi të kufizuara ekonomike, si dhe për vajzat e reja që janë ende në shkollë dhe pa mbështetje të mjaftueshme.

Këto kuti përmbajnë elementët thelbësorë për t’i ndihmuar nënat e reja në fillimin e këtij udhëtimi të veçantë me foshnjën e tyre.

ARRITJET TONA

Histori Suksesi

Një nga historitë tona të suksesit këtë vit ka qenë blerja e 11 monitorëve për matjen e parametrave jetikë të foshnjave në reanimacion. Këta monitorë të cilësisë së lartë na lejojnë të mbajmë nën kontroll oksigjenin dhe tensionin e foshnjave, duke siguruar trajtim intensiv të cilësisë më të lartë.

Falënderojmë nga zemra partnerët dhe donatorët tanë të Kishës së Jezus Krishtit të Ditëve të Mëvonshme!

0